Shkolla e Magjistraturës, më datë 11 nëntor 2024, zhvillon aktivitetin trajnues me temë: “Provueshmëria në procesin gjyqësor: arsyetimi i provueshmërisë së fakteve ligjore në proceset penale dhe civile; standardet e provueshmërisë; relevanca, besueshmëria dhe forca bindëse e provës; probabiliteti dhe provueshmëria në procesin gjyqësor; analiza e provave në arsyetimin gjyqësor dhe praktika gjyqësore”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet drejtohet nga:
Ekspertë: Sokol Berberi, Manjola Xhaxho
Lehtësues: Anila Karanxha
Qëllimi i këtij trajnimi është: të zhvillojë aftësitë e magjistratëve për të vlerësuar dhe analizuar provat, për arsyetimin e provueshmërisë së fakteve ligjore në proceset penale dhe civile; për vlerësimin e relevancës, besueshmërisë dhe forcës bindëse të provës si dhe për zbatimin me korrektësi të standardeve të provueshmërisë në praktikën gjyqësore.
Trajnimi do të realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve..
Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si:
- Cilësitë e provës - relevanca, besueshmëria dhe forca bindëse e provës; Probabiliteti dhe provueshmëria në procesin gjyqësor;
- Faktet ligjore dhe faktet kyçe; Argumentet dhe kundër argumentet për provueshmërinë në proceset gjyqësore;
- Procesi gjyqësor dhe hetimi e fakteve barra e provës dhe standardi i të provuarit në procesin gjyqësor;
- Praktika gjyqësore për analizën e provave dhe arsyetimin e provueshmërisë në vendimmarrje.
Në këtë aktivitet trajnues marrin pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.